Penalltia e akorduar mbrëmjen e djeshme, në ndeshjen Angli – Danimarkë, që vendosi fatin e takimin 2-1, ka nxitur polemika të shumta në vend. Artan Hoxha, gazetari i njohur investigativ ka ironizuar në rrjetet sociale.
Ai ka postuar një foto të presidentit të FSHF-së Armand Duka ku shfaqej me kryeministrin Boris Jonson. Pikërisht për praninë e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe gabimin trashanik të gjyqtarit Danny Makkelie, Hoxha shkruante:
“Ky arbitri i sotëm dallohej një orë larg që nuk ishte me anglezët. Sa herë shtrihej në tokë Kejn, kishte faull. Penalltia e Stërling do të ketë bërë xheloz dhe vetë Pipo Inzagin. Një arbitër që dhe po t’i vinin pistoletën në kokë, nuk kishte ndërmend të shkonte para ekranit për të riparë nëse penalltia ishte apo jo e saktë!
Gjithësesi me aq padrejtësi, sa u janë bërë skuadrave burrërore angleze në të kaluarën, këta anglezët hileqarë të sotëm, janë të justifikuar… T’i shohim si do të luajnë të dielën, përballë vetë shpikësve të hilesë në futboll… Epo të shkojë ustai që nuk ia lë rezultatin rastësisë apo fushës, por e vendos me arbitrat e federatës, si mund të ndodhte ndryshe?”