Ditën e djeshme, Vora luajti në transfertë kundër Klosit, ndeshje e vlefshme për javën e 18-të. Ky takim përfundoi me rezultatin 0-5. Sfida u dominua për gjatë 90 minuta nga miqtë, teksa në fushë spikati shtatshkurtri Sadiku. Ish-sulmuesi i Kukësit ishte i papërmbajtshëm duke arritur të shënojë, por edhe të fitojë një 11 metërsh që u shndërrua në gol nga shoku i tij, Mziu.
Supergoli i realizuar nga kryeqytetasit në minutën e 63-të, shtangu vendasit që ishin të pafuqishëm përballë furisë vorake. Veç penalltisë dhe golit të shënuar, 22-vjeçari arriti të japë edhe një asist duke qenë padyshim njeriu i ndeshjes. Pas këtij takimi, Vora renditet në vendin e parë me 43 pikë, një ndeshje më pak se Luzi i vendit të dytë që ka aq pikë sa vorakët.
Kujtojmë që Klevis Sadiku para 3 sezonesh u prezantua te Kukësi. Hapësirat e pakta në ekipin e parë e detyruan të largohej. Ai ishte zgjedhje e drejtorit të përgjithshëm të verilindorëve, Dritan Dervishi. Tanimë 22-vjeçari po arrin të tregojë vlerat e tij në Kategorinë e Dytë me ekipin e Corës që është pranë rikthimit në të Parën.