Dritan Dervishi është larguar zyrtarisht nga Kukësi. Këtë e ka konfirmuar sot edhe klubi, ku nëpërmjet një njoftimi zyrtar bën me dije që Gjici dhe Dervishi kanë gjetur marrëveshjen me konsensus duke u ndarë me shtrëngim duarsh.
“Klubi i F.K. Kukësit ndërpret bashkëpunimin me Dritan Dervishin
Klubi i F.K.Kukësit ka ndërprerë bashkëpunimin me ish-drejtorin Dritan Dervishi. Presidenti Safet Gjici dhe Dervishi kanë gjetur marrëveshjen dhe kanë ndërprerë kontratën me konsensus duke u ndarë me një shtrëngim duarsh.
Dervishi ka punuar në klubin e Kukësit rreth 5 muaj duke arritur edhe suksese. Kukësi kaloi një tur në Kupat e Europës, fitoi superkupën e Shqipërisë dhe nuk ka asnjë humbje në kampionat duke qenë brenda objektivave.
Klubi i F.K. Kukësit e falenderon Dritan Dervishin për kontributin dhe i uron suksese në vazhdimin e karrierës së tij sportive”, shkruhej në njoftimin zyrtar të Kukësit.
Kujtojmë që largimi i Dervishit nga Kukësi ndodhi të hënën në mëngjes, teksa ai u largua nga mbledhja pas një debati të ashpër me presidentin Gjici.