Partizani po vazhdon të kërkojë zgjidhje për stadiumin ku do t’i luajë takimet e Superiores sezonin e ardhshëm. Opsionet më të mundshmë janë ato të “Elbasan Arenës” apo “Niko Dovanës”, por këto mundësi nuk e kënaqin klubin e kuq, pasi ata nuk dëshirojnë që ndeshjet si vendas t’i bëjnë jashtë Tiranës.
“Jemi në negociata me stadiumin “Selman Stërmasi” për të zhvilluar ndeshjet si vendas të sezonit të ardhshëm. Bisedimet janë në një rrugë të mirë sepse drejtuesit e stadiumit janë treguar të hapur për të na ndihmuar. Nuk është faji jonë që u prish “Qemal Stafa”. Ne kemi të drejtë të luajmë në kryeqytet dhe do bëjmë të pamundurën ta sigurojmë diçka të tillë për tifozët tanë”, ka thënë drejtori i Partizanit, Genc Tomori, për “Panorama Sport”.
Mundësia që Partizani të luajë në “Selman Stërmasi” këtë sezon është shumë e vogël, pasi më parë Tirana ka arritur marrëveshje me Korabin që të zhvillojë takimet po në “Selman Stërmasi”, ndaj dhe 3 skuadra më të njëjtin stadium do të ishte diçka shumë e vështirë për t’u realizuar pasi është e pamundur të përshtatet kalendari në mënyrë të tillë që mos të ketë përplasje.