Partizani dhe Kastrioti do të përballen mes tyre në ndeshjen e javës së 26-të të kampionëtit shqiptar, takim që do të luhet ditën e dielë duke nisur që nga ora 16:00.
Si demat ashtu edhe krutanët janë eliminuar nga Kupa e Shqipërisë, teksa tashmë të dyja ekipet do t’i përqendrojnë forcat e tyre në kampionat. Të kuqtë kërkojnë titullin kampion dhe tashmë është i vetmi synim i tyre në këtë sezon, ndërkohë skuadra e Emiliano Çelës dëshiron mbijetesën.
Por Giovanni Colella nuk do ta ketë aspak të lehtë ndaj Kastriotit, pasi në dy përballjet e këtij sezoni janë ndalur në barazimi 0-0 dhe 1-1. Kjo tregon se të kuqtë duhet të marrin krutanët më shumë se seriozisht dhe një hap tjetër fals do t’i largonte shumë nga misioni titull.
Ndërkohë dy barazimet kanë treguar se Kastrioti është një “kockë e fortë” për demat dhe se krutanët tashmë janë të motivuar për të marrë sërish pikë në kryeqytet që janë shumë të vlefshme në luftën për mbijetesën. Kujtojmë se Partizani mban vendin e dytë në klaisifikim me 41-pikë, ndërsa Kastrioti ndodhet i fundit me 24 pikë.