Pjesëmarrja në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm, e detyron skuadrën e Partizanit që të hap “thesin” dhe të nis të mendojë për merkaton.
Cilësitë nuk mungojnë në skuadrën e drejtuar nga Skënder Gega, por pjesëmarrja në turet kualifikuese të kompeticionit më të rëndësishëm në Europë, UEFA Champions League e intrigon së tepërmi skuadrën e kuqe.
Emrat në listën e drejtorit sportiv, Olsi Rama nuk mungojnë, teksa së fundmi duket se ka pikasur element cilësorë te skuadra e Kastriotit. Forma fantastike në këtë periudhë të sezonit, e ka shtyrë Ramën që të hedh sytë nga ekipi krutan. Dy janë emrat që pëlqehen së tepërmi te skuadra e drejtuar nga Bledar Devolli.
Juljan Shehu është ai që intrigon skuadrën e kuqe. Në listë nuk kishte si të mungonte sulmuesi i krahut, Patrik Bardhi. Si Shehu ashtu edhe Bardhi janë futbollistë 20 vjeçarë, çka tregon edhe strategjinë e Partizanit për të pasur në skuadër talente që në një të ardhme të sjellin të ardhura në klub.
Gjithsesi, për t’i bërë për veti, Partizani duhet të shpenzojë, pasi të dy futbollistët janë edhe për 2 vitet e ardhshme nën kontratë me Kastriotin.
© 2024 News Sport - Dev by Aplikacione.com.