Partizani ka mbyllur seancën e sotme stërvitore përpara sfidës së nesërme me Korabin. Skuadrës së kuqe i është bashkuar në stërvitje kapiteni i tyre, portieri Alban Hoxha. Ndërkohë mbrojtësi Renato Malota ka shqetësuar trajnerin Starova pasi nuk ishte pjesë, si pasojë e një problemi shëndetësor. Pjesa tjetër e skuadrës është në gjendje optimale. Skuadra vijon të jetë e grumbulluar në hotel dhe nesër do niset drejt Elbasanit. Kujtojmë se takimi luhet në stadiumin “Elbasan Arena” dhe fillon në orën 17:00.
Partizani vjen pas një barazimi në Vlorë dhe llogarit vetëm fitoren ndaj dibranëve pasi në këtë mënyrë mund të përfitojë për t’ju afruar dy kryesuesve të kampionatit, Kukësit dhe Skënderbeut, të cilët ndeshen po ashtu nesër me njëri tjetrin.