Partizani ka zhvilluar seancën e fundit përgatitore në kuadër të ndeshjes me Kukësin. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare klubi i kuq ka bërë me dije që mungesa e vetme do të jetë vetëm Gëzim Krasniqi, i pezulluar për shkak kartonash. Ndërkohë me grupin është stërvitur edhe Renaldo Kalari.
“Seanca e fundit është zhvilluar sot pasdite në kompleksin “Internacional Tirana” në orën 15:00 . Traineri Starova dhe stafi teknik kanë kryer një seancë me karakter tekniko taktit nëpërmjet të cilës kanë testuar edhe gjendjen e grupit.Me skuadrën sot është përfshirë edhe mbrojtësi Kalari, i cili po vijon fazën e rekuperimit. Mazrekaj ka rezultuar mungesa e vetme sot , pasi është lënë pushim nga stafi, por fantazisti do të jetë i gatshëm për sfidën e nesërme. Në përfundim të seancës së fundit ekipi është rikthyer në rezidencën e hotel ” Vila Park” ku qëndron i grumbulluar. Takimi Partizani – Kukësi i vlefshëm për javën e 32 -të të kampionatit do të luhet ditën e premte në orën 19:00 në stadiumin ‘Selman Stërmasi'”, shkruhej në njoftimin e klubit të Partizanit.
Kujtojmë që kjo sfidë është shumë e rëndësishme pasi mund të rezultojë vendimtare për titullin kampion në këtë sezon.