Partizani është kthyer në kryeqytet, aty ku do të vijojë stërvitjen normale pas “turit” në Antalia. Të kuqtë janë në kërkim të një sulmuesi, duke parë problemet e pjesës së parë të sezonit. Trajneri i ri Adolfo Sormani e ka bërë të qartë se në ndeshjet e ardhshme kërkon një ekip sulmues dhe agresiv, ndaj lojtari “gol” nuk duhet të mungojë në skuadër.
Kampionët aktual të vendit, e shohin veten në vendin e katërt, tre pikë pas Kukësit kryesues. Partizani, ndryshe nga ekipet e kreut ka sulmin më të dobët, me vetëm 19 gola të shënuar. Drejtuesit po punojnë për këtë gjë dhe duket se kanë gjetur sulmuesin.
Bëhet fjalë për Reginaldon, një njohje e vjetër e Superligës shqiptare, pasi më herët lojtari mozambikas ka luajtur me Luftëtarin, Kukësin dhe Laçin. 29 vjeçari është lojtar i lirë dhe i kontaktuar nga newsport.al, nuk ka dashur të shprehet duke lënë gjithçka të hapur. Partizani është hermetik këto ditë, por fakt është se klubi po punon për të afruar një sulmues “race” dhe emri i Reginaldos është i duhuri.