Dritan Mehmeti do të vijojë të jetë në krye të Partizanit edhe për Kupat e Europës. Puna e mirë e bërë nga tekniku i njohur i ka dhënë besimin e drejtuesve të kuq për vazhdimin e bashkëpunimit. Edhe pse në media kanë qarkulluar lajme të ndryshme për timonierin e ri, burime pranë klubit tregojnë se Mehmeti është konfirmuar për të qenë në krye të skuadrës.
Pas disa ditëve pushim, do të nisë puna për Kupat e Europës, aty ku kryeqytetasit synojnë të kalojnë të paktën një tur. Konfirmimi i Mehmetit në krye të Partizanit është në vazhdën e dashamirësisë së treguar nga presidenti Gaz Demi për të. Ishte kreu i klubit të kuq që në morinë e lajmeve për largimin e tij, u shpreh në media se Dritani është “trajneri i tij”.