Edi Reja ishte i pranishëm në ndeshjen e djeshme të Partizanit kundër Karabakut që përfundoi me shifrat 0-0. Trajneri i kombëtares shqiptare ndoqi nga afër sfidën që ishte pozitive për të kuqtë, të cilët rrezikuan jo pak miqtë azerë.
Italiani ka folur pas takimit për mediet duke dhënë opinionin e tij në lidhje me atë që kishte parë në fushë. Ai u fokusua vetëm te Partizani teksa deklaroi:
“Ishte një ndeshje e mirë në aspektin mbrojtës. E them këtë, pasi nëse Partizani nuk do të luante në këtë mënyrë përballë një skuadre me cilësi, mund të shkonte edhe më keq. Ndaj them se ka bërë mirë në aspektin mbrojtës. Pastaj ka qenë pak i pafat në dy kundërsulme.
Ndeshja e ardhshme? Mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur ajo e kthimit. Unë uroj që të bëjë një tjetër paraqitje të mirë si kjo, por që t’i bëjë të gjithë krenarë në fund.
Kualifikimi? Unë mendoj se ka shanse për kualifikim. Ekipi më dha përshtypjen që ka edhe cilësi. Duhet që të ketë disi më shumë qartësi në sulm, por është e qartë që përballë një kundërshtari të tillë, bëhet e vështirë.
Sepse ata janë futbollistë shumë cilësorë. Sipas meje, Partizani ka shanse të mira nëse do të bëjë lojë të mirë në aspektin mbrojtës edhe atje dhe në rast se do të jetë më konkret dhe i saktë në kundërsulmet që krijon. Kështu do të kishte shanse. Në fakt, e uroj që ta bëjë diçka të tillë”, përfundoi tekniku i kuqezinjve.
Ndeshja e kthimit mes Karabak dhe Partizani do të luhet të martën e javës së ardhshme.