Trajneri i Kukësit, Perter Pakult ka dalë pak minuta më parë në një konferencë për shtyp ku ka folur për situatën përpara ndeshjes kundër Skënderbeut. Dy mungesa pritet të jenë nesër në ndeshjen kundër korçarëve ku e konfirmuar është mugnesa e Allës, ndërsa Shameti është në mëdyshje.
Pakult u shpreh se nuk i beson mungesave që kanë kundërshtarët dhe se Kukësi është i gatshëm për të vijuar ecurinë pozitive në kampionat. Tekniku austriak ka prekur edhe çështjen e stadiumit ku sipas tij zhvillimi i ndeshjeve në Elbasan ka edhe anën pozitive, por edhe atë negative.
“Këto tri ndeshje kanë qenë shumë positive për ne. Shpresoj që këtë ecuri ta kemi edhe nesër me Skënderbeun, edhe pse qëndron më lart se ne në renditje dhe ka ekip të mirë. Nëse vazhdojmë të luajmë si në ndeshjen me Laçin, besoj se kemi shanse të mira.
Diferenca e ekipeve? Të them të drejtën, nuk shoh diferenca, por dua që ndeshjet t’i marrim një nga një dhe të rritemi në nivelin e lojës. Ndeshjet e fundit i kemi interpretuar mirë dhe kemi fituar pikë. Shpresoj të vazhdojmë kështu.
Sa i përket motivimit, nuk duhet shumë të flitet për të, pasi duhet të ndjekim ecurinë pozitive. Ështe fakt që kundër Laçit kishim mungesa, por ditëm t’ia dalim dhe ta fitojmë ndeshjen.
Për kushtet atmosferike duhet të presim dhe të shohim. Nuk i shikoj kushtet, pasi stërvitjen e bëjmë në mot të mirë.
Mungesat e Skënderbeut? Nuk i besoj shumë teorisë së mungesave, pasi kështu ishim dhe me Partizanin dhe u mendua se u fitua ndeshja para kohe. Nuk besoj shumë te këto gjëra. E kam thënë para ndeshjes me Partizanin dhe e them sërish se për mua është me mirë që kundërshtari të jetë në formën më të mirë, pasi ai është motivim më i madh.
Duhet të mposhtim në shtëpi ekipin me renditjen më të mirë. Duhet shfrytëzuar atmosfera në ekip. Alla nuk luan as nesër, ndërsa për Shametin do të vendoset para ndeshjes.
Për ndryshimin e stadiumit kemi bërë një bisedë me kryesinë, por nuk kemi vendosur. Nëse shkojmë të luajmë në Elbasan ka disa gjëra pozitive, por edhe negative. Do ta shqyrtojmë këtë çështje ditët në vazhdim.
Kemi biseduar edhe për Bakajn, i cili neser do të jetë në fushë. E kemi mbyllur këtë çështje”, është shprehur Pakult.