Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka, ka folur një ditë pas finales së madhe të Conference League të luajtur në “Air Albania Stadium” ku u ndesh Roma me Feyenoord, ndeshje e fituar nga skuadra romane. Në një intervistë për ABC, Duka tha se finalja e parë e Conference League është një event i veçantë për futbollin shqiptar.
ORGANIZIMI – “Nëse organizimi i eventit merr nota pozitive, të cilat i ka marrë, ajo që përfiton është vendi, qyteti. Të gjithë individët nga aq sa u takon kanë dhënë maksimumin. Nuk besoj se ka vend për individë pavarësisht se kanë dhënë maksimumin, nuk kam parë asnjë që nuk ka qenë i gatshëm për të kontribuar maksimalisht”.
BESIMI NGA UEFA – “Padyshim që në finale do të dalin ekipet më të mira. Pse na u dha? Futbolli është i 55 vendeve europian, dhe UEFA ka detyrën që të promovojë të zhvillojë futbollin në çdo cep të Evropës. Por ka dhe disa kritere që duheshin plotësuar. Nuk filloi aplikmimi vetëm me kërkesën, kemi filluar më parë që në momentin që filloi projekti i stadiumit. Kemi aplikuar me projekt dhe me projekt të vështirë, na u refuzua në kërkesën e parë. Pasi u miratua Conference League kemi kërkuar këtë kompeticion, kemi plotësuar kriteret. Komisioni i vlerësimit kualifikoi vendet që plotësonin kriteret. Pavarësisht se Federata është iniciator, që në fillim të gjithë të tjerët bënë pjesën e vet. Në votim mund të ishte Shqipëria mund të ishte ndonjë tjetër, në këtë rast preferenca për Shqipërinë, apo për të zhvilluar futbollin në Shqipëri vendimi i Komitetit Ekzekutiv ishte pozitiv”.
STADIUMI – “Do flasim për stadiumin. Stadiumi nuk ka kushtuar 75 milionë euro, për buxhetin e shtetit zero, madje buxheti ka inkasuar 3 milionë euro. Financimi ka qenë nga Federata 12 milionë euro, ndërsa të tjerat kanë qenë financim publik-privat. Nuk ka fizibiletet sot Shqipëria që të ketë një stadium më të madh se ai i Tiranës me 22 mijë vende. Të bësh një stadium me 60 mijë vende thjeshtë për të pritur një kompeticion Evropian fizibilitet nuk ke, por nëse ke shumë lek në buxhetin e shtetit mund ta bësh, por ky është lluks i tepërt. Ky stadium është i pranueshëm për Shqipërinë”.
VELIAJ – “Jam i lumtur që për herë të parë Conference League, u luajt në Shqipëri, të lumtur duan të jenë edhe Erjoni edhe Loriku. Nëse Erjoni e publikon emrin tim ose jo, pyetjen bëjani atij. Nuk ka ndonjë interes të madh nëse ma përmend apo nuk ma përmend emrin”, u shpreh Duka.