Partizani ndodhet në Slloveni ku po zhvillon një fazë përgatitore në kuadër të sfidave të turit të parë të Champions League. Skuadra do të qëndrojë në shtetin slloven deri në datën 2 korrik, ku do të marrë ngarkesën e nevojshme nga trajneri Franko Lierda. Por, me sa duket drejtuesit e kuq s’e kanë menduar siç duhet këtë datë. Në 30 qershor, në vendin tonë do të zhvillohen zgjedhjet vendore për 61 bashkitë. Çdo kush ka të drejtën për të votuar dhe asnjë qytetari të Republikës së Shqipërisë s’mund t’i mohohet e drejta e votës.
Praktikisht duket e pamundur për të gjithë lojtarët e Partizanit që zotëron një pasaportë shqiptare, pasi ende s’kemi arritur stadin e votimeve online. Kësisoj ata janë të detyruar të qëndrojnë pa hedhur votën e tyre. Në fakt duket si një paradoks mes dy vëllezërve Rama. Kryeministri Edi Rama lobon fort për zhvillimin e zgjedhjeve në datën 30 qershor, teksa ka kundër dhe opozitën, ndërsa vëllai i tij, drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama çon skuadrën në fazë përgatitore pikërisht në këtë periudhë. /Newsport.al/