Laçi është një nga ekipet më të qëndrueshme të Superligës që vështirëson të gjithë kundërshtarët brenda dhe jashtë fushe. Ekipi kurbinas është në vendin e pestë me 30 pikë, po aq sa ka edhe Skënderbeu.
Në një prononcim për “Supersport”, Besnik Prenga, trajneri i Laçit, ka folur për gjendjen e ekipit dhe objektivat e skuadrës për këtë sezon.
Ai ka thënë: “Çunat janë të karikuar, janë në një formë të mirë. Mendoj që do t’i presim ndeshjet e kampionatit në gjendje optimale pasi po bëjmë përgatitje shumë të mirë.
Nuk mund të themi që kemi përforcuar ekipin, pasi kemi përforcuar konkurrencën.Vërtet nuk kemi marrë një lojtar shumë cilësor, por kemi lojtar që stërviten mirë dhe rrisin konkurrencën brenda grupit. Kemi 15-16 lojtarë serioz që stërviten shumë mirë, ka një konkurencë mes grupit dhe çunat janë shumë serioz.
Në sport nuk ka limite, kërkohet maksimumi, por maksimumi nuk dihet. Ne i marrim ndeshjet një nga një. Qëllimi jonë është vazhdimësia.
Përsa i përket tabelës, Europa është një ndër objektivat. Nëse na vjen vendi i tretë i katërt do e marim më të dyja duart. Duhet të vazhdojmë të punojmë siç po bëjmë dhe të kemi vazhdimësi”.