Gafat në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit nuk kanë të sosur. Pas gabimit që bëri me emrin e Olsi Sokolit, të cilin e kishte vendosur si kryesor në dy takimet e Kategorisë Superiore, përkatësisht në takimin Skënderbeu-Kukësi dhe Kastrioti-Tirana, FSHF nuk di të ndalet.
Gabimi i radhës shënohet në Kategorinë e Dytë dhe konkretisht me Vllazninë B. Skuadra shkodrane do të luaj ditën e sotme me Luzi 2008, por në kalendarin e publikuar në faqen e FSHF-së thuhet ndryshe.
Sipas kalendarit të FSHF, Vllaznia B do të luajë sot ndaj dy skuadrave, në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë. Duke iu referuar këtij gabimi, sot në ora 15:00 është planifikuar që Vllaznia B të luajë ndaj Luzi 2008 dhe Kevitan.
Natyrisht se këto dy përballje nuk mund të luhen njëkohësisht, por këtu kemi të bëjmë me një gabim të Federatës Shqiptare të Futbollit, që natyrisht tërheq vëmendjen. Ndeshjen e saj, Vllaznia B do e luajë në fushën sportive “Reshit Rusi” ndaj ekipit Luzi 2008, pasi Kevitan është tërhequr prej javësh nga kampionati.