Marash Kumbulla është padyshim lojtari i parë shqiptar që pritet të arrijë nivelet më të larta të futbollit europian. Vetëm 20 vjeç dhe shtatlarti i mbrojtjes së Kombëtares sonë u transferua nga Verona te Roma për shifrën rekord prej 30 milionë eurosh.
Në një intervistë të dhënë për “Corriere dello Sport”, ka folur ish mësuesi i tij i gjimnazit që ka treguar se ai ishte mjaft i disiplinuar duke mos munguar asnjëherë në shkollë..
“Edukatë dhe sens i masës. Nëse më duhet të mendoj për dy aspektet që e dallonin Marashin, janë pikërisht këto.
Kishte aftësinë për të ruajtur përqendrimin edhe në raste kur ndoshta shokët e tij e kishin harruar ku ndodheshin. Kam qenë mësues i tij në vitin shkollor 2017-2018 dhe nuk mbaj mend një rast të vetëm që Kumbulla të ketë munguar.
E të mendosh që vinte me tren e më pas nxitonte për të shkuar në stërvitje të cilat shpesh ishin të me ekipin e parë të Veronës. Asokohe u njoh edhe me Gretën, të dashurën e tij aktuale, por asnjë nga këto aspekte nuk e pengoi të diplomohej.
Dua të shpresoj se me sukses do të kalojë edhe testin e një qyteti e një skuadre si Roma”, ka thënë profesori i Kumbullës.