Është 39-vjeç, por në katërkëndësh ka treguar që mosha për të është thjesht një numër. Bëhet fjalë për Ilion Likën, portierin e Tiranës i cili ishte më i miri në fushë dje në radhët e bardhebluve. Pritje spektakolare duke shpëtuar gola të sigurtë për 24-herë kampionët e vendit. Kishin zënë stolin prej disa ndeshjes, ndërsa në sfidat e fundit trajneri Mema vendosi ta hidhte në fushën e blertë. Me qetësinë që e karakterizon, ai dëgjoi këshillat e dhëna nga “timonierët” bardheblu, megjithësë një fjalë e urtë thotë: “Nuk mësohet plaku si do krehur mjekra”.
E këtë, ai e tregoi ditën e djeshme në finalen me Kukësin. Megjithëse Tirana u mposht me rezultatin 2-1, mjafto të përmendësh rastin e golit të parë, teksa ai i tha “Jo” Rexhinaldos në gjuajtjen e parë. Pak minuta më pas ishte sërish protagonist Ilioni. Pas një topi të kthyer gabimisht nga Eni Imami, Vasil Shkurtaj i vetëm me “gardianin” bardheblu nuk arriti ta çonte topin në rrjetë. Ndoshta, vetëm hija e Likës e trembi sulmuesin e kuksianëve. Por, ajo që duhet theksuar është forma fizike që 39-vjeçari ruan prej disa vitesh. Një shembull për t’u ndjekur nga ata që duan të arrijnë majat në katërkëndësh në vitet e ardhshme. /Newsport.al/