Problemet për Vllazninë duket se nuk kanë të ndalur. Pas kërcënimeve ndaj stafit drejtues dhe trajnerit Canaj tashmë skuadrës i shtohet një tjetër problem. Nuk bëhët fjalë për kërcënime, por këtë herë është çështje dëmtimesh. Trajneri Canaj është kthyer në stërvitje me skuadrën, por ajo që shqetëson trajnerin është porta.
Siç raporton “Shkodra Sport”, të dy portierët e skuadrës janë të dëmtuar. Alen Sherri do të mungojë rreth 4 javë dhe është paraqitur pranë skuadrës me paterica, ndërsa portieri tjetër Selimaj është dëmtuar dhe nuk do të jetë i gatshëm për 2 javë. Një problem jo i vogël për trajnerin Canaj edhe pse Vllaznia e ka siguruar pothuajse ngjitjen në Superligë është një çështje që duhet të zgjidhet duke parë që ndeshja ndaj Erzenit është pranë.