Vllaznia-Tirana do të jetë sfida që do të luhet ditën e nesërme për javën e 3-të të Kategorisë Superiore. Klasikja e futbolit shqiptar do të startojë në orën 16:45 në “Loro Boriçi” me dy ekipet që kërkojnë me çdo kusht fitoren. Në konferencë për mediat në krah të trajnerit Dede ishte edhe kapiteni Idi Batha. Mesfushori nuk bën dramë elemimin nga Kupa, ndërsa edhe një humbje tjetër ndaj Vllaznisë nuk do të ishte fundi i botës për Tiranën.
Ndryshimi i trajnerit? “Nuk mendoj se është në moment të papërshtatshëm sepse dihet që ndeshjet janë pak a shumë njësoj. Është momenti i duhur për të patur një ndeshje të fortë. Sa herë që ekipet ndërrojnë trajnerin kanë një marsh më shumë, është një rast i mirë për të treguar dhe provuar veten.
Eliminimi nga Korabi në Kupë? “Personalisht, më ka ndodhur dhe një herë tjetër të eliminohem nga një ekip i Kategorisë së Parë. Nuk është as hera e parë, as e fundit që ndodh në futboll. Kemi eksperiencën e duhur për ta kaluar. Sigurisht, është diçka që dhem, por ajo kaloi duhet ta lëmë pas.
Atmosfera me trajnerin e ri? “Atmosfera ka qenë pozitive. Trajneri e njeh mirë ambjentin e Tiranës. Ka ndikuar pozitivisht ardhja e tij”.
Dëmtimet? “Nuk na vjen në momentin më të mirë. Kemi shumë dëmtime. Por, një ekip i fortë duket kur i ndërron lojtarët e formacionit, është një provë më vete. Lojtarët e rinj kanë mundësinë të tregojnë veten për t’i dhënë sinjale trajnerit.
Fitorja, alternativë e vetme për ndeshjen me Vllazninë? Është fillimi i kampionatit. Nuk është fundi i botës një humbje, nuk e kemi menduar, e mendoj për herë të parë tani që po më pyesni. Do shkojmë atje për një qëllim, për të luajtur mirë dhe për të marrë maksimumin”, përfundoi kapiteni i Tiranës Idriz Batha.