Teuta do të luajë ditën e enjte sfidën e dytë të raundit të Europa League ndaj Granadas. Pasi kaluan turin e parë kundër Beitar Jeruzalem skuadra durrsake do të ketë përballë një nga ekipet e La Ligas në Spanjë.
Lidhur me këtë takim kapiteni i ekipit të Teutës, Renato Arapi është shprehur për “Supersport” se durrsakët nuk do të futen në fushë si inferior dhe do të kërkojnë të bëjnë surprizën ndaj Grandas edhe pse spanjollët janë dukshëm favorit në letër.
Më tej Arapi foli edhe për objektivin që Teuta do të ketë për sezonin e ri në Superligë ku padyshim do të synohet titulli kampion.
“Ne të gjithë i dimë vlerat e kampionatit spanjoll dhe të ekipit të Granadës, që është shumë i fortë. Megjithatë kjo nuk na heq ne të drejtën që të hyjmë në fushë për të bërë maksimumin, por me kushtin që të mos luajmë si inferior.
Kjo është nga ato ndeshje, që sido që të shkojë rezultati, nuk humbet, pasi të mbetet në memorie dhe shpresoj që të na mbetet në kujtesë për mire”.
Objektivat? “Ekipi ka shumë cilësi dhe harmoni, ndaj unë personalisht besoj se do jemi pretendentë për titullin kampion këtë sezon’, deklaroi mbrojtësi durrsak.