Trofeu i Kupës së Botës ka mbërritur sot në Tiranë. Një ide e FIFA në bashkëpunim me Coca-Cola, trofeu do jetë në disa vende të globit, për t’u stacionuar më pas në Katar.
Për disa orë, tifozët nga Shqipëria kanë pasur mundësi të shohin nga pranë trofeun, teksa prezent ka qenë edhe kampioni i Brazilit, ish-futbollisti Gilberto Silva.
Në këtë aktivitet, të pranishëm kanë qenë edhe disa legjenda të futbollit shqiptar. Njëri prej tyre, ish-kapiteni i Kombëtares, Sulejman Demollari e ka quajtur një turp nga Coca-Cola, që nuk i kanë lënë të bëjnë as foto me trofeun.
“Turpi i Coca Cola-s me Kupën e Botës në Tiranë!
Na ftuan sot për të parë Kupën e Botës por nuk na lanë as të bëjmë një foto. Ishte e turpshme që të shikoja aq figura të mëdha futbolli në atë ceremoni dhe Kupa ishte fshehur për ne njerëzit e futbollit.
Vetëm Coca Cola mund ta bëj që të të ftojë për ceremoninë e ardhjes së Kupës së Botës në Tiranë dhe të të mbaj larg nga trofeu dhe të na tregoj muzeun e FSHF që ishte spostuar në hollin e Kryeministrisë.
Si ish kapiten i ekipit Kombëtar dhe me kontribute në këtë futboll, nuk jam ndjerë asnjëherë më i ofenduar sesa sot nga një sjellje e tillë.
Kam qënë në aktivitete të njëllojta kudo nëpër botë, por asnjëherë në një turp me si kjo me Coca Cola”, shkruan Demollari.