William Cordiero Melo padyshim është një nga pikat më të forta të këtij Partizani në këtë sezon futbollistik. Lojtari brazilian ka shkëlqyer thuajse në çdo ndeshje me të kuqtë, ndërsa ende nuk dihet se cila do të jetë e ardhmja e tij.
Ashtu si gjithë të tjerët, edhe ai e ka kaluar këtë periudhë pandemie i izoluar në shtëpi. Në një intervistë të dhënë për mediet braziliane, Melo ka treguar se po stërvitet në kushtet shtëpiake dhe thekson se ndihet në formë të mirë. Braziliani është i bindur se Partizani e ka potencialin për të arritur një vend në Kupat e Europës duke treguar edhe pikët që e ndajnë nga kryesuesit.
“Kemi luajtur ndeshjen tonë të fundit më 9 mars. Janë më shumë se dy muaj që stërvitem i vetëm në shtëpi, me videoconference. Nuk ishte e thjeshtë, por ia dola që të qëndroj i fokusuar dhe ndjehem në formë të mire. Unë besoj se në dy javët që do të kemi stërvitje në fushë, do të jemi në gjendje që të bëjmë një punë të mirë për t’u kthyer më pas që të luajmë përsëri.
Jemi vetëm 3 pikë pas vendit të tretë dhe 6 nga skuadra e vendit të dytë, pozicione që të garantojnë një vend në Ligën e Europës 2020-2021. Meqë kanë mbetur 10 ndeshje, besoj se kemi kushtet e duhura për të fituar të drejtën për të luajtur në turnetë kontinentalë”, ka deklaruar ai.