Luftëtari është një nga ekipet më simpatike të këtij sezoni në Superligë. Me stilin e tyre sulmues të lojës ata i kanë bërë për vete të gjithë dhe kanë tërhequr vëmendjen e shumë tifozëve dhe specialistëve. Tashmë në kuotën e 44 pikëve, bluzinjtë janë në garë për një vend në kupat e Europës sezonin që vjen dhe këtu ka padyshim meritë grupi i lojtarëve dhe stafi teknik me në krye Hasan Liken.
Por nga të gjithë pranohet se dyshja Abazaj – Bregu është padyshim ajo që mban ‘gjallë’ këtë ekip. Kjo dyshe ka realizuar 16 gola ku 9 numëron Abazaj dhe 7 Bregu. Në total Luftëtari ka shënuar 34 gola dhe pothuajse gjysma është realizuar nga kjo dyshe. Shpejtësi, teknikë, gola dhe shumë klas është ajo që garanton kjo dyshe. Nëse Abazaj është ‘kristal’, Bregu është një ‘thesar’ i gjetur sepse Flamurtari ndoshta e ‘fali’ ose e ‘dëboi’ nga Vlora dhe Luftëtari gjeti një thesar te vlonjati.
Një nga dyshet më simpatike të këtij kampionati që i ka dhënë një ngjyrë tjetër Luftëtarit që nga krahët e sulmit duket se po fluturon drejt Europës.