Sindrit Guri ka folur para ndeshjes me Partizanin. Sulmuesi shkodran që po kalon një formë të mirë me Kukësin, është shprehur optimist para sfidës me nënkampionët e Shqipërisë. 24-vjeçari ka deklaruar për mikrofonin e RTSH-së:
“Partizani ishte rivali ynë për vendin e dytë, por diferenca duhet të thellohet akoma më tepër, pasi është vetëm 6 pikë larg. Besoj se do të na mbështesë tifozeria dhe ky është avantazhi ynë.
Takimi ndaj Partizanit do të jetë një ndeshje shumë e bukur dhe mendoj se do të fitojë më i miri, do të fitojë Kukësi.
Kemi mënyrat tona për të sulmuar kundërshtarin dhe trajneri e di më së miri këtë pjesë. Ne do t’i bindemi detyrave që na jep ai. Unë nuk do të prish objektivat e klubit për të arritur ato personalet pasi arritjet e mia janë vetëm falë klubit e çunave.
Por, mendoj se me shënimin e golave ua kam shpërblyer. Ndërsa sa i përket pjesës së transferimit tim, shpresoj që të shkoj në një kampionat më të fortë se Superiorja ku të kem mundësi aktivizimi”, ka përfunduar ai.