Braziliani Marcello Troisi është trajneri i Laçit prej tre javësh, ndërsa ka nisur të bëjë punë të mirë dhe që së shpejti do të japë frytet e saj. Troisi më parë ka qenë trajner i Kukësit dhe pas kësaj ai ishte në rolin e menaxherit te Skënderbeut. Por, pajisja e tij me licencën UEFA A e bëri që të marrë iniciativën për të drejtuar një skuadër në Superiore, ku mund të shënohet në postin e zëvendës trajnerit, pasi trajner në elitë duhet të kesh UEFA Pro.
Megjithatë, ai sot është trajneri i Laçit dhe ka bërë merkato të mirë. Ka afruar lojtarë të rinj vendas dhe brazilianë. “Zgjodha të jem trajner i Laçit sepse jam njeri i sfidave, ndërsa pranova ofertën”, thotë fillimisht Troisi.
“Mendoj se bëra punë të mirë te Kukësi duke i lënë vend vetes për të qenë në Shqipëri, Laçi është një prej klubeve interesante dhe unë nuk refuzova të jem pjesë. Jam i bindur te aftësitë e mia dhe të stafit tim. E kam treguar te Kukësi se zhvilloj lojë dhe këtë dua të bëj edhe te Laçi”.
Projekti – “Po e ndërtojmë nga fillimi këtë skuadër dhe kjo është e vështirë. Po punojmë fort që të kemi ekip të kompeltuar dhe në nisje të kampionatit do të jemi të plotë. Jam i bindur se do të arrijmë sukses. Deri në momentin që jemi duke folur, unë po përpiqem që të bëj më të mirën”.
Trajner & menaxher – “I kam të dyja rolet duke dashur që të bëj më të mirën. Mendoj se një trajner-menaxher mund të jetë i duhuri për një ekip dhe unë mendoj se janë në rrugën e duhur”.
Merkato – “Për momentin merkato nuk është mbyllur, dua të afroj dhe 2-3 lojtarë polivalent në skuadër. Jam i kënaqur me punën deri tani, por ka ende punë për të bërë”.
Laska – “Marrëdhëniet tona janë shumë të mira, pasi ai e kupton futbollin dhe kemi të dy qëllime dhe ide të njëjta. Duam të ndërtojmë një ekip të madh. Ashtu si presidenti, edhe unë me stafin po punojmë që të japim më të mirën”.