Abissnet Superiore luan sot në orën 17:00 sfidat e javës së 35 dhe të parafundit të sezonit. Disa prej verdikteve janë njohur, ku gara e vetme po bëhet për 2 biletat që të çojnë në Europë.
Tirana dhe Laçi e i kanë mbyllur llogaritë e tyre. Bardheblutë u shpallën kampion, ndërsa laçjanët nënkampion për herë të parë në historinë e tyre. Megjithatë ka mbetur dhe një duel tjetër mes tyre këtë sezon. Bëhet fjalë për “Këpucën e Artë”.
Saliou Guindo i veriorëve dhe Taulant Seferi i kryeqytetasve kryesojnë listën e golashënuesve aktualisht me 17 gola secili. Kanë mbetur 2 ndeshje për të vendosur fituesin mes tyre dhe gjithçka është e hapur.
Tirana luan sot përballë Dinamos në stadiumin “Selman Stërmasi, ndërsa Laçi udhëton në transfertën e Durrësit për të luajtur kundër Teutës.