Ka përfunduar sfida e Kategorisë së Parë mes Bylisit dhe Dinamos që u zhvillua sot në stadiumin “Adush Muça”.
Ballshiotët fituan 2-1 me përmbysje. Dinamo shënoi në minutën e 23-të me Arifajn duke mbyllur pjesën e parë në avantazh 1-0 ndaj vendasve.
Meto i Bylisit ishte i pafat në 45 minutat e para, pasi goditi shtyllën.
Por, do të ishte pikërisht Meto që do të vendoste baraspeshën në minutën e 55-të duke shënuar për ballshiotët.
Pak minuta më vonë, sulmuesi i Dinamos, Ejoh u përjashtua me karton të kuq, ndërsa edhe trajneri i Bylisit, Eqerem Memushaj gjithashtu u detyrua të linte pankinën për protesta duke marrë edhe ai penalizim nga gjyqtari kryesor.
Bylis këmbënguli deri në fund dhe mesfushori i Bylisit, Orges Gava goditi traversën para se Kolgega të shënonte golin e fitores për ballshiotët në minutën e 90-të. 2-1 për vendasit që marrin kështu një fitore të rëndësishme ndaj Dinamos dhe vijojnë të sigur ndjekjen e Lushnjes që gjendet në vendin e parë të Grupit B në Kategorinë e Parë.