Sindrit Guri është lojtari i momentit te skuadra e Kukësit. Sulmuesi shkodran po kalon një formë të mrekullueshme duke qenë deçiziv me golat e tij për kampionët e Shqipërisë.
Titullar i padiskutueshëm, por mbi të gjitha i vendosur për të marrë për “dore” verilindorët. E në të tilla kushte, sigurisht forma e tij do të vihej re edhe nga klubet jashtë vendit tonë.
Madje nga Azia e largët pati interes për shkodranin, por ishin drejtuesit verilindorë të cilët i bënë të ktheheshin mbrapsh. Situata është qartë, klauzola e largimit është e shkruar “e zeza mbi të bardhë”: Sindrit Guri largohet vetëm nëse ofrohet për të 1 milionë euro.
Një shumë e konsiderueshme kjo duke pasur parasysh nivelin e kampionatit tonë, megjithatë me performancën e treguar 24-vjeçari vështirë se do të qëndrojë në Superiore duke nisur nga sezoni i vitit të ardhshëm.