Luhet sot në orën 13:00 ndeshja mes Devollit dhe Apolonisë. Të dyja ekipet gjenden shumë pranë në tabelën e klasifikimit, teksa bilishtarët e gjejnë veten dy pikë më lart. Djemtë e Stavri Nicës kanë rezultuar surpriza më e bukur e këtij sezoni, duke trembur çdo kundërshtar në Kategorinë e Parë, grupi B. Sfida e sotme pritet me interes nga të dyja palët, teksa Apolonia e Mërgjyshit kërkon të tregojë peshën e fanellës.
Ky takim mund të cilësohet padyshim si ndeshja e të “gjymtuarve”, pasi të dyja skuadrat vijnë me mungesa të shumta. Te vendasit mungon mbrojtësi Çela, i pezulluar për shkak kartonësh, teksa sulmuesi Ivani është në dyshim për këtë takim. Shtatëlarti ka vuajtur një dëmtim kohët e fundit dhe është në dyshim për sot. Nga ana tjetër, trajneri i Apolonisë duhet të “arrnojë” mbrojtjen, pas mungesave të shumta. Fierakët kërkojnë me ngul fitoren, pasi në tre ndeshjet e fundit kanë marrë vetëm dy pikë.