Futbolli në Shqipëri po shkon drejt përmirësimit, me klubet që kanë nisur të mendojnë për mënyrën e formalizimit të tyre. Një lajm i mirë vjen për klubin e Devollit, që këtë sezon militon në Kategorinë e Parë të futbollit, konkretisht në grupin B. Drejtuesit e bilishtarëve që menaxhohen nga bashkia e rrethit, kanë vendosur që të rrisin buxhetin e klubit.
Dje, anëtarët e klubit të Devollit zhvilluan një mbledhje në Bashki, aty ku u diskutua buxheti prej 200 milion lekësh të vjetër. Ky fond do të shkojë për skuadrën dhe do të shpenzohet për rrogat, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore si edhe për shpenzimet e tjera që ekipi ka nevojë. Gjithashtu, në këtë takim u hodh ideja e ndryshimit të statusit, nga Organizatë Jo Fitimprurëse (OJF) në Shoqëri Aksionere (sh.a).