Kastrioti përballet të shtunën me Partizanin në orën 16.00, në kuadër të Kategorisë Superiore. Në prag të këtij 90 minutëshi ka folur trajneri i krutanëve, Ramadan Ndreu. Tekniku e di mirë vështirësinë që paraqet rivali, por ka besim se të tijtë do ia dalin me sukses. Ai këshillon futbollistët të jenë të kujdesshëm, në të kundërt, do të jetë shumë e vështirë.
“Në ndeshjen me Partizanin na del për detyrë të jemi të kujdesshëm, pasi kemi përballë një kundërshtar që është ndër më të mirët.Kjo gjë na motivon më shumë. Kam besim se të gjithë lojtarët e vlerësojnë këtë ndeshje, si dhe do japin maksimumin, do tregohen të thjeshtë.
Duhet të mendojnë që në këto ndeshjet e fundit nuk ka vend për gabime, koha vjen gjithnjë duke u zvogëluar ndaj duhet të jemi të kujdesshëm.Shkojmë me Partizanin për të marrë minimalja një pikë. Jo se jemi të trembur, por luajmë ndaj një skuadre të fortë.Gjithsesi ne jemi ajo skuadër që deri tani kemi treguar se jemi shumë të mirë, pavarësisht luhatjeve që i kam deklaruar që në fillim. Ato vijnë pasi ende nuk e kemi stabilitetin”- tha ai.