Fundi i çdo gjëje është i lumtur për njërën palë dhe e hidhur për palën tjetër. Partizani ishte triumfatori i mbrëmjes së djeshme në “Elbasan Arena”, ku mposhti pas shtesave, 4-2 Kukësin për të ngritur lart trofeun e Superkupës së Shqipërisë për herë të dytë në histori.
Një finale që përveç spektaklit në fushë, me gola dhe numra magjie, dhuroi edhe një skenë të turpshme në fundin e saj. Mbrojtësi i Kukësit, Olsi Teqja mendoi për t’ia shfryrë dufin e humbjes një tifozi kundërshtarë, teksa u mundua të kapej fizikisht përmes telave me të.
Ndërkohë, polemika dhe zënka ka pasur edhe në tunel, me Telushin dhe Rrocën që janë bërë protagonist të një sherri në tunelin e stadiumit, që për fatin e tyre të mirë nuk përfundoi me dëmtime. Ajo e së dielës së 18 gushtit ishte vetëm raundi iparë i përballjes Partizani-Kukësi, që vijon edhe në fundin e kësaj jave, e vlefshme për javën e parë të Kategorisë Superiore.
Por, ajo e 24 gushtit nuk do të jetë e vetmja, me kalendarin që i ka parashikuar 4 përballje mes Partizanit dhe Kukësit. Gjithsesi, të tjerë 90 minutësha mund të na presin, edhe pse shpresojmë që në Kupën e Shqipërisë të përballen në raundet e fundit, në mos në finale
© 2024 News Sport - Dev by Aplikacione.com.