Laçi do të zbresë sot në fushë për të luajtur një ndeshje miqësore. Duke parë ndalesën e kampionateve për shkak të Kombëtareve, skuadra kurbinase ka vendosur që të luajë një test miqësor ndaj Erzenit, ekipit që militon në Kategorinë e Parë dhe këtë sezon kanë pretendime të mëdha për t’u ngjitur në Superligë.
Ndeshja do të luhet në orën 15:00 dhe do të zhvillohet në Pezë. Ky takim do t’i shërbejë trajnerit Vukiçevic për të kolauduar akoma edhe më shumë skuadrën. Laçi nuk e ka nisur mirë këtë sezon të Superligës pasi në 4 javët e para ka marrë vetëm 2 barazime dhe dy humbje dhe nuk ka shijuar ende fitoren e parë. Sfida e radhës në kampionat për kurbinasit do të jetë ndaj Egnatias dhe Laçi shpreson që të marrë 3 pikët e para.