Ditën e sotme në “Selman Stermasi”, në orën 16:00, Partizani pret në shtëpi Bylisin, ndeshje e vlefshme për javën e 5-të të Superiores. Kampionët e Shqipërisë do të kenë edhe mbështetjen e tifozëve të tyre në këtë impiant.
Mirëpo, sot, po ashtu luhet edhe kryendeshja e kësaj jave në elitën e futbollit shqiptar. Në “Elbasan Arena” zhvillohet takimi Kukësi-Tirana. Tifozët bardheblu, me anë të një njoftimi në faqen e tyre në rrjetet sociale, kanë njoftuar se në orën 16:00 do të mblidhen tek “Selman Stermasi”, e për t’u nisur më pas drejt Elbasanit.
Këtu mund të kemi edhe një përplasje mes tifozërive, që rivalitetin e përjetshëm që kanë, më shumë ua shton edhe derbi mes Tiranës dhe Partizanit që do të luhet në javën e ardhshme. Deri më tani, 24 herë kampionët e vendit kanë arritur të grumbullojnë 10 pikë dhe renditen në vendin e parë të tabelës së klasifikimit, kurse të kuqtë kanë 6 pikë dhe kanë zhgënjyer disi me rezultatet e tyre në këtë fillim edicioni.