Derbi i kryeqytetit luhet sot për herë të fundit këtë sezon. Dinamo dhe Tirana zbresin në stadiumin “Selman Stërmasi” në orën 17:00, ku përballja nuk ndikon në llogaritë e renditjes së përgjithshme. Ky kampionat pati të veçantë se në 10 skuadra, merrnin pjesë tre ekipet e kryeqytetit, Partizani, Tirana dhe Dinamo.
Bardheblutë ja dolën të fitonin kampionatin, duke u kurorëzuar kampion për herë të 26 në historinë e klubit, si asnjë tjetër në Shqipëri. Në anën tjetër Dinamo ishte e pafuqishme të qëndronte në elitën e futbollit shqiptar, sezonin në të cilin u ngjit.
Sot skuadrat zbresin në fushë për prestigj, pasi kjo është ndeshja që ka më shumë tituj kampion në fushë. Tirana plot 26, ndërsa Dinamo 18. Megjithatë bardheblutë luajnë dhe për objektivin e mbetur të këtij sezoni.
Taulant Seferi kryeson renditjen e golashënuesve me 17 gola të shënuar bashkë me Saliou Guindo të Laçit. Presidenti i klubit Refik Halili e vlerësoi disa ditë më parë me shifrën 1.5 milion euro dhe fitimi i “Këpucës së Artë” si golashënuesi i sezonit, do ishte vlerë e madhe për sulmuesin nga Kumanova.