Partizani ka zhvilluar ditën e sotme ndeshjen e parë ndaj Trabzonspor (0-1) në Turqi, aty ku dhe po zhvillojnë fazën përgatitore për pjesën e mbetur të sezonit. Të kuqtë e kanë filluar vitin 2020 me trajnerin e ri Adolfo Sormani, i cili u rikthye tek Partizani pas largimit të Franko Lerdës. Pas përfundimit të ndeshjes së sotme, e cila u mbyll me fitoren e turqve, trajneri Sormani ka dhënë një intervistë për mikrofonat e vetë klubit. Trajneri italian ka bërë analizën e ndeshjes së sotme, si dhe të përgatitjeve deri në këtë pikë.
Ndeshja e parë në drejtimin e Partizanit.
Sormani: Gjithmonë kur nis një aventurë të re natyrshëm ka shumë emocione. Je kurioz të shikosh lojtarët e rinj që do të drejtosh, ti njohësh, ti kuptosh ata më mirë. Sigurisht që ka emocionet e veta.
Jeni i kënaqur me performancën e skuadrës në miqësoren ndaj Trabzonspor?
Sormani: Mendoj që kemi bërë një ndeshje ashtu siç unë kam kërkuar. Një ndeshje intensive ku i kam kërkuar lojtarëve të rikthehen dhe të luajnë si skuadër. Të luftojnë të bashkuar, me dëshirën për të vuajtur të gjithë së bashku të sakrifikojnë, që në fund të dalin të gjithë triumfues. Në këtë sens them se kam marrë sinjale shumë pozitive si në pjesën e parë ashtu edhe në të dytën. Edhe lojtarët e rinj që aktivizova për mua kanë dhuruar një ndeshje dhe paraqitje shumë të mirë.
Jeni i kënaqur nga impenjimi i lojtarëve përgjatë përgatitjeve që po zhvilloni në Antalia.
Sormani: Jemi të gjithë shumë të kënaqur si unë ashtu edhe stafi. Dua të theksoj se ka një dëshirë dhe bashkëpunim shumë të madh nga të gjithë lojtarët. Të gjithë si grup po demostrojnë entuziazëm në përgatitjet që po zhvillojmë. Kanë dëshirë edhe pse po përballen me module dhe skema të reja që po aplikojmë në stërvitje. Kemi vërtet entuziazëm dhe përqëndrim të rinisim fort dhe ti tregojmë tifozëve tanë që jemi mjaft të lidhur me Partizanin dhe duam të luftojmë për këtë skuadër.
Në 15 Janar do të jetë testi i radhës ndaj hungarezeve të Honved.
Sormani: Eshtë një tjetër ndeshje afër e cila na mundëson të përmirësojmë kondicionin fizik, por edhe do të na shërbej ë për të punuar mbi të gjitha në aspektin tekniko taktik dhe sidomos në harmonizimin e grupit si skuadër.