Trajneri i Partizanit, Ilir Daja ka folur përpara ndeshjes me Bylis që luhet nesër në 17:00 në “Adush Muça”. Transferta është lënë disi mënjanë nga trajneri, duke u fokusuar në fillim te sfida me Vllazninë, aty ku 11 metërshi I kthyer në gol nga Marku vijon mos lërë të qetë numrin një të stolit te Demat.
Daja s’ka anashkaluar Vllazninë për meritën e garës, ndërsa ka shigjetuar arbitrat dhe FSHF, duke u shprehur se ishte goditja finale në momentin e duhur.
“Penalltia me Vllazninë? Nuk është një rast I izoluar, është në vazhdimësi dhe në momentin e finishit ishte goditja e duhur për të na nxjerrë jashtë gare. Kam dëgjuar dje opinionistët e Vllanzisë, kjo s’ka të bëjë me klubin e tyre. Vllaznia është me meritë aty, nuk kanë pse të analizojnë problemet e tjera sepse nesër do ju ndodhë edhe atye. E kam ndjerë fuqishëm në ndeshjet e parafundit në karrierën time, kam dorëzuar kampionatin. Nëse s’do ishte Jorgji, do ishte “jorgjër” të tjerë.
Në tre ndeshjet e fundit na ka gjykuar Hamiti dhe Feratërat. Nëse s’do ia kishin dalë kundër Vllaznisë, në Ballsh java e fundit do ishte skëterrë.
Dëmtimet dhe mungesat? Asani është I dëmtuar, Junior gjithashtu. Belica dhe Broja janë me kartona. Kemi edhe lojtarë të tjerë që janë me probleme dhe sot do marrim përgjigje. Nuk do shkojmë në Ballsh të luftojmë me mullinjtë e erës, sepse kampionati është i mbyllur. T’i marrim maksimumin sfidës dhe të tregojmë se nuk kemi aleatë.
Nuk e kam problemin me Vllazninë, nuk them se nuk e meritoi atë që ka bërë gjithë kampionatin. Le të jetë ai që ka meritën më të madhe në krye. Kampionati të vendoset me meritë, të mos jenë protagonistë arbitrat. Nëse e jepte në sekondë, në rregull. Por është e çuditshme që anësori ishte larg Belicës dhe e vendosin ata penalltitë. Kjo është ajo për të cilën po diskutojmë.
Nuk është vetëm ky rast. Janë disa gola të anuluar, gola të rregullt. Janë në vazhdimësi në fazën e fundit. Nëse nxjerr një konkluzion, e nxjerr në vazhdimësi. Nëse këto janë në vazhdimësi, këto janë vendime të vendosura më parë.
Rinovimet? Kemi nisur të mendojmë për Europën sepse janë shumë lojtarë në fund të kontratave. Disa prej tyre, siç e ka konfirmuar shtypi kanë firmosur edhe parakontrata, diçka që e lejon edhe FIFA, por në etikën morale kjo nuk shkon sepse Partizani i ka mbështetur në të gjitha drejtimet”, tha Daja mes të tjerash.