Tenisti spanjoll Rafael Nadal, fitues një muaj më parë në grand slemin e Roland Garros, shprehet se është i motivuar edhe për turneun tjetër të madh që nis nesër, atë të Wimbledonit. Natyrisht që për numrin 2 në botë nuk ka për të qenë e lehtë, për më tepër që luhet në fushat me bar, një sipërfaqe jo shumë e dashur për të. Por triumfi në Paris e ka karikuar dhe motivuar për këtë event të madh. “Motivimi kur luan këtu është gjithnjë i madh. E di që nga viti 2012 gjunjët e mi këtu nuk kanë duruar shumë, por unë do të tentoj më të mirën. Kam shanset e mia dhe besoj se mund të shkojë shumë larg”, tha sot Rafael Nadal.
Spanjolli nuk luajti vjet në Londër për shkak të një dëmtimi dhe këtë vit synon të rikthehet protagonist te fanzat. “Wimbledon është një turne që e dua, por njëkohësisht këtu edhe mund të eliminohesh shumë shpejt. Nëse kaloj pengesat e para, fitoj më shumë besim dhe mund të shkoj deri në finale. Kam që në fillim të sezonit që po luaj mirë dhe kjo do të më ndihmojë edhe këtu”, u shpreh më tej tenisti spanjoll, që nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje përgatitore në fushat me bara këtë sezon. “Jam përpjekur të rikuperoj forcat dhe stërvitem, të shoh se si do të reagojë trupi në ndeshjen e parë”, tha Nadal