Skuadra e Tiranës është një nga ekipet që është përfolur shumë në këtë merkato vere. Zyrtarisht bardheblutë kanë afruar Torasën, Bathën dhe Kalenë. Ndërkohë është arritur paraprakisht akordi me Tefik Osmanin dhe ka një parakontratë me Ismail Dungën. Kësisoj organika kryeqytetase është plotësuar dhe rritur shumë cilësisht. Megjithatë i vetëm në prapavijë, Tefik Osmani është shumë pak për të përballuar gjithë sezonin. Kësisoj drejtuesit janë vënë në kërkim të një lojtari tjetër për fazën difensive.
Deri më tani ka shumë emra, por s’ka asgjë konkrete. Ndërkohë paralelisht me merkaton, po stërvitet intensivisht Gent Muça. Një nga mbrojtësat më të mirë në Shqipëri duket se është harruar nga ana e klubit. Pasi fitoi betejën me sëmundjen, Muça duke më në formë se kurrë teksa po përgatitet individualisht nga Roland Peqini.
Teksa të gjithë futbollistët e tjerë “ulin temperaturat” në plazhet e ndryshme jashtë vendit, idhulli i tifozëve bardheblu zgjedh të ‘freskohet’ duke djersitur në mënyrë që të jetë gati për ekipin e zemrës së tij. Askush s’e përmend, ndoshta kanë harruar se në skuadër kanë një xhevahir si Gent Muça.