Ditën e sotme është luajtur ndeshja e parë mes Tiranës dhe Laçit në raundin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Takimi ka përfunduar me rezultatin 3-0 për bardheblutë, që kanë hedhur një hap të sigurt drejt gjysmëfinales.
Gjithçka fillon në minutën e 3-të, kur mbrojtësi Erion Hoxhallari e ka prekur topin me dorë brenda zonës dhe që mund të akordohej penallti, por Alla nuk ka menduar kështu dhe ka vijuar lojën.
Më pas, vijmë në minutën e 36-të, kur Redon Xhixha del përballë portierit Abibi, por anësori ngre flamurin për pozicion jashtë loje. Nga pamjet, duket qartë që anësori ka gabuar në vendimin e tij.
Më pas, vetëm 3 minuta më vonë, anësori bëhet përsëri protagonist, kësaj radhe në dëm të Tiranës. Majkëll Ngoo del shumë mirë në zonë dhe pason për Hasanin, që e dërgon topin në rrjetë, por flamuri i ngritur lartë, e ka ndalur lojën për pozicion jashtë loje. Pamjet tregojnë se Ngoo ka qenë plotësishtë në pozicion të rregullt.
Vetëm 1 minutë më vonë, Tirana është në sulm dhe Ngoo pason për Hasanin, i cili driblon portierin Gentian Selmani dhe e dërgon topin në rrjetë. Megjithatë, nuk ka kohë për të festuar, sepse anësori përsëri akordon pozicion jashtë loje. Ashtu si në rastet e mëparshme, edhe këtë herë pamjet tregojnë shumë qartë se gjykimi ka qenë shumë i gabuar.