Grigor Tavo ka reaguar në lidhje me deklaratat e bëra nga aksioneri tjetër i klubit të Luftëtarit, Bekim Halilaj, i cili është shprehur se homologu i tij nuk jep vulën e klubet. Për këtë, Tavo, tashmë i dorëhequr i bën thirrje publike Halilajt të mos bëjë deklaratë dashakeqëse dhe mos të mashtrojë sportdashësit duke thënë se do të investojë për Luftëtarin.
Ai i kërkon të tërhiqet nëse nuk do të mundë të financojë skuadrën gjirokastrite. Sipas Tavos një ekip s’mund të mbahet me shpifje dhe koha në dispozicion nuk mjafton për të formuar një skuadër solide. Për këtë ai ka reaguar për mediet:
“Reagim!
Ndihem i detyruar të reagoj në lidhje me shpifjet dashakeqe dhe shumë të ulëta
që aksioneri i Luftëtarit, Bekim Halilaj ka bërë në adresë time. Është
qesharake të dalësh dhe të thuash se Grigor Tavo po dëmton atë Luftëtar që e ndërtoi
me shumë mund dhe investim duke mbajtur sipas tij peng vulën e klubit duke
penguar licencimin e Luftëtarit.
I bëj thirrje aksionerëve apo aksionerit Halilaj që nëse ka ndërmend të investojë, ta bëjë sa më parë. Kjo, pasi koha nuk pret. Nuk është aspak e vërtetë se unë mbakam peng vulën e klubit. Kjo është një shpifje e ulët sepse vula është në administratën e Luftëtarit dhe nuk është justifikim që ka të bëjë me licencimin.
Luftëtari është një shoqëri aksionere me administratorë dhe staf dhe si e tillë funksionon më së miri. Edhe sikur vula të mungonte, është shumë e thjeshtë të bëhet një e re. Vula mbahet nga personi që ka të drejtën e firmës në një shoqëri.
Në vend që të shqetësohemi për fatin e skuadrës, thjesht po mundohemi të krijojmë disa tymnaja që nuk bëjnë gjë tjetër veçse tregojnë qëllimet e njerëzve. Luftëtari nuk mbahet as me shpifje dhe as me mashtrime, Luftëtari ka nevojë për investim.
Nëse keni ndërmend të investoni jeni i mirëpritur, në të kundërt keni mirësinë të thoni nuk mundem. Grigor Tavo”, përfundon ish-presidenti i Luftëtarit në letrën e tij publike.