Sot, Vllaznia do të luajë kundër Partizanit në kuadër të javës së tetë të Superiores. Për këtë takim, klubi shkodran ka bërë përgatitjet e nevojshme. Megjithatë ditën e djeshme ka pasur një “surprizë” në stadiumin “Loro Boriçi” pasi një shkëndijë elektrike ka krijuar panik në stafin e Vllaznisë.
Pikërisht në katin e parë të stadiumit, aty ku stërvitet ekipi shkodran i boksit ka rënë zjarr, por që është kapur në kohë nga drejtuesit e impiantit shkodran që kanë njoftuar menjëherë zjarrfikësen dhe ambulancën.
Fatmirësisht dëmet kanë qenë të pakta duke u shpëtuar transformatori që furnizon me energji stadumin, por është djegur vetëm inverteri që shërben për energji në momentet kur s’ka drita në ambinetet e brendshme. Kujtojmë që Vllaznia – Partizani luhet sot në orën 17:00, në një impiant që pritet të jetë i tejmbushur.