Skënderbeu është skuadra më në formë e momenti. Ekipi korçar po shkëlqen nën drejtimin e trajnerit Migen Memelli. Tekniku pogradecar e mori skuadrën në mes të sezonit pas largimit të Julian Ahmatajt. Korçarët po luftojnë për mbijetesë, ndërsa duhet thënë që performanca e bardhekuqve është për t’u duartrokitur. Dje arritën të mposhtnin në transfertë 2-0 Kastriotin duke marrë 3 pikë mjaft të rëndësishme për të qëndruar në elitë. Një punë e mrekullueshme e Memellit për të cilin flitet me superlativa në panelet sportive.
Ka rikthyer besimin te lojtarët e tij si dhe ka një pikë të fortë në profesionin e tij. Të gjithë tregojnë se Migen Memelli është mjeshtër i video-analizave. Ai studion me detaje kundërshtarin dhe në këtë mënyrë i përgatit takimet njëra pas tjetrës. Edhe nëse Skënderbeu nuk mbijeton, e sigurtë është që Superiorja ka fituar një trajner të së ardhmes. Pritet me interes të mësohen fatet e këtij sezoni. Skënderbeu gjendet aktualisht në vendin e nëntë me 29 pikë, 1 më pak se Bylis i vendit të tetë, ndërsa Kastrioti ndodhet në të shtatin me 2 pikë më shumë se korçarët.