Laçi do të luajë ndeshjen e kthimit në Kupë ndaj Bylisit ditën e mërkurë. Kurbinasit do të kenë një mision të vështirë pasi duhet të përmbysin rezultatin 2-0 të ndeshjes së parë e për t’u kualifikuar duhen të paktën 3 gola ose 2 për ta çuar në shtesë.
Një takim i cili do të luhet në stadiumin e Laçit dhe klubi ka nevojë për mbështetjen e tifozëve në mënyrë që lojtarët të jenë më të karikuar. Drejtuesit e klubit kanë vendosur që për këtë ndeshje hyrja në stadium të jetë falas për të gjithë tifozët. Në faqen zyrtare klubi ka bërë një njoftim për tifozët që të jenë sa më të shumtë në numër pasi hyrja do të jetë e lirë.