Vllaznia pret Partizanin në Loro Boriçi nesër në orën 17:45 në një përballje direkte me dy ekipet që pretendojnë titullin kampion. Trajneri shkodranëve, Mirel Josa, foli para mediavë për ndeshjen e nesërme.
Ndeshje nivel derbi – “S’mund t’i themi derbi, sepse nuk janë dy skuadra të një qyteti. Është një ndeshje e rëndësishme, si të gjitha të tjerat. Patizani do të japë maksimumin pas humbjes me Tiranën. Do të jetë një skuadër shumë e kujdesshme dhe ne duhet të kemi parasysh se çfarë duhet të bëjmë në fushën e lojës. Duhen rregulluar disa gjëra, duhet të futemi më shpesh në zonën e kundërshtarit dhe të jemi të saktë në pasin e fundit. Nuk duhen humbur ekuilibrat e skuadrës, sepse Partizani është një skuadër që ka lojtarë cilësorë.”
Mungesat – “Mungesat si për njërën skuadër, ashtu edhe për tjetrën, janë pjesë e zhvillimit të kampionatit. Kështu që unë personalisht duhet t’i shikojë gjërat me lojtarët që kam në dispozicion dhe çfarë mund t’i marrë atyre lojtarëve.”
2 pikë të lëna me Teutën – “Nuk duhet t’i futemi shumë ndeshjes me Teutën. Ajo sfidë pati dhe të mirat e veta, pati edhe dobësitë e veta. Dobësi kishim në pasin e fundit, duhet të ishim shumë të kujdesshëm. Gjithashtu gjatë zhvillimit të lojës, mund të godisnim në momente të caktuara. Kështu që duhet kujdes. Mua më kënaq paraqitja edhe dëshira e lojtarëve, për të bërë më tepër se ndeshja e kaluar. Dhe kjo dëshirë më mbush me optimizëm për nesër.”
Formacioni – “S’i kemi përcaktuar ndonjëherë titullarët. Por lojtarë që i kemi të dëmtuar, Latifi, Boshnjaku, Heriç nuk do të jenë. Kemi pasur probleme dhe me Hakajn. Do të shohim si do të shkojnë në stërvitjen e fundit sot dhe më pas do të vendosim.”
Mungesa e golave – “Duhet të bëjmë më tepër. Gjithashtu kemi dy ndeshje që nuk pësojmë. Nga njëra anë më ngroh, por nga ana tjetër duhet të kemi kujdes të mos prishim ekuilibrat, duke pasur parasysh lojtarët që do të hedhim në fushë.”
Ndeshje direkte – “Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet. Edhe sikur të ishim në pozita më të mira në klasifikim, edhe sikur të ishim në pozita më këqija në klasifikim, unë do të them të njëjtat fjalë, që ne duhet të fitojmë ndeshjen.”
Oshilacionet – “Luhatjet janë gjëra që janë brenda përbrenda një skuadre futbolli. Po të mos kishim luhatje atëherë do t’i kishim pikët e plota. Nuk ka skuadër që i ka pikët e plota, edhe në kampionatet e tjera. Luhatjet janë brenda përbrenda skuadrës, sepse, përveç nesh që jemi munduar të ndërtonim një skuadër, janë munduar edhe skuadrat e tjera dhe për të plotësuar objektivat e veta që kanë.”
Meqë përmendët Bylisin dhe Erzenin, mos harrojmë që kemi dhe skuadra të tjera, si p.sh. dhe Egnatia me një dy-pikësh që mund të merrte më shumë mund të ishte në këto pozita. Unë mund të them që skuadrat janë aty-aty dhe kujdesi do të jetë i njëjtë.
Nuk flas për skuadra të tjera. Mua më intereson vetëm skuadra ime. Ndeshja e nesërme është një ndeshje mes dy skuadrave që kanë qenë rivale me njëra-tjetrën gjatë gjithë kohës. Nuk do të thotë që gjatë kësaj kohe, kudo ku kanë luajtur, qoftë në Tiranë, qoftë në Shkodër, duhet marrë maksimumi.”
Tifozët – “Tifozeria edhe në Durrës na përkrahu. Edhe ne duam të bëjmë më të mirën, për tifozerinë, veten tonë, skuadrën dhe individin brenda skuadrës. Unë pres nga të gjithë lojtarët të më vënë në pozita të vështira që çfarë të bëj për ndeshjen tjetër.”
Ndeshje ish-ësh – “Nuk flas për individë. Da Silva është lojtar që ka dhënë kontributin e tij te Vllaznia për dy vite. Edhe gjatë kohës kur unë isha në drejtimin e skuadrës, që gjatë dy javëve ne zhvilluam dy ndeshje, dy në kampionat dhe një finale Kupe, Da Silva ishte lojtar formacioni. Ai bëri zgjedhjen e tij, klubi bëri zgjedhjen e vet, që shkoi te Partizani më vonë. Para Partizanit shkoi një periudhë në Qipro. Kështu që Da Silvës i urojë suksese kudo që të shkojë. Tani qëlloi që të ishte me Partizanin. Kurse për Markun, kur më erdhi mundësia për ta marrë, e kam marrë pa u menduar dy herë.
Pozitiv është fakti që Marku po jep me skuadrën tonë që nga momenti i parë dhe është integruar ashtu siç duam ne. Është djalë që, aftësitë që ka treguar, qoftë me Partizanin, qoftë në Kosovë, i ka treguar cilësitë që ka. Kjo nuk do të thotë që unë i pres të gjitha nga Esati, unë pres nga e gjithë skuadra ime, që të bëj më mirë se në ndeshjen në Durrës”- deklaroi Josa.”