Ligji i miratuar sot në Kosovë për sponsorizimin në sport ka sjellë edhe reagimet e para në vendin tonë. Një ndër ta është lojtari i Tiranës në basketboll për meshkuj, Red Vogli.
Shtatlarti bardheblu uron shqiptarët e Kosovës për këtë hap
të rëndësishëm në zhvillimin e sportit, por ka edhe një mesazh për
kryeministrin Edi Rama që pati premtuar rreth 110 ditë më parë se diçka e tillë
do të vinte shumë shpejt në vendin tonë. Përmes postimit në facebook, Vogli
shkruan:
“Z. Edi Rama! Lexoje, fole me shokët dhe miratoje se na e bëtë sportin mortje.
Na merr frika të shkojmë në shpi me rroba me djersë se na thotë gruaja: “Mirë
lek s’po sjell, po na bllokove dhe lavatriçen”. Urime Kosova!”, përfundon
lojtari bardheblu që njihet si një nga njerëzit që ka sakrifikuar më shumë për
fanelën e Tiranës në basketboll.
Ligji i sponsorizimit në sport do t’i jepte një shtytje të madh zhvillimit në vend, megjithatë situata e trazuar politike në vend ka bërë që gjithçka të mbetë në kuadrin e premtimeve elektorale.