Derbi i kryeqytetit, Tirana-Partizani është supersfida e javës së 6-të të Abissnet Superiore. Ndeshja do të luhet ditën e hënë në orën 19:45 në “Air Albania”, ndërsa në stadium deri më sot do të lejohen vetëm 30% të tifozëve. Tirana ka bërë një kërkesë zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë për të hapur stadiumin në masën 100% ashtu siç ndodhi me Kombëtaren, por Ministria nuk ka kthyer ende një përgjigje duke mbajtur “peng” tifozët për të ndjekur nga stadiumi këtë supersfidë.
Ministria është në “hall” me studentët që nuk lejohen të futen në auditore pa vaksinë e për këtë arsye nuk dëshiron të krijojë pakënaqësi duke lejuar që të hyjnë 22 mijë veta në stadium. Deri më tani janë shitur rreth 7 mijë bileta pë derbin, ndërsa Tirana është në pritje të lejës nga Ministria nëse do të lejojnë apo jo hapjen totale të stadiumit.