Migen Memelli, i pranishëm në “Selman Stermasi” për ndeshjen mes Tiranës dhe Flamurtarit, që do të luhet për Kupën e SHqipërisë, është shprehur për “Supersport” se me gjithë këto investime që janë bërë tek Tirana, trofetë e fituar janë shumë pak, por në të njëjtën kohë edhe tek Flamurtari.
Më tej, Memelli ka folur edhe për të ardhmen e tij si trajner, ku ka thënë se ai do të drejtonte një klub edhe në Kategorinë e Parë, por mjafton që projekti i kësaj skuadre të jetë serioz.
“Këto skuadra në 10 vitet e fundit nuk i kanë përligjur investimet e tyre. Në 10 vite, mund të jenë hedhur 10 milionë euro. 3 herë Superkupën dhe Kupën e Shqipërisë, për Tiranën është shumë pak. Skënderbeu ka qenë shumë i fortrë, Kukësi ka qenë shumë i fortë. Frika më e madhe që kam unë është që edhe për disa vite këto klube do të luhaten në këto ujra. Shikojmë që Halili ka investuar goxha, por vjen një moment që ti ndihesh i zbrazur. Në këto momente duhet prurja e investitorëve të rinj. Klubet duhet të privatizohen. Për të ardhmen time, nuk është turp të jesh në punë, edhe në Kategorinë e Parë. E rëndësishme është që ai klub që unë të shkoj është të ketë bazat e mira”, është shprehur ndër të tjera Migen Memelli.