Presidenti I Tiranës, Refik Halili ka folur për mediat pas fitores 2-0 në ndeshjen ndaj Bylis dhe prekjes së finales nga bardheblutë. Halili ka folur për hetimet nga Etika, ndeshja e sotme ndaj Bylis dhe e ardhmja e talenteve. Numri një I bardhebluve ka theksuar se ekipi ishte në stress gjatë kësaj kohe, gjithashtu edhe ai bashkë me ta.
“Kam shumë gjëra për të thënë, por e rëndësishme është që skuadra luajti mirë. I përgëzoj çunat për ndeshjen. Është kënaqësi shumë e madhe, pasi shkojmë pranë dy objektivave që i kemi pasur në plan, por ndoshta edhe jo të dyja.
Në fillim mendonim kampionatin. Me sakrificën e të gjithë lojtarëve shkuam edhe në finalen e Kupës. Kemi bërë kampionat model, shumë të mirë, i kemi dhënë tonin. Do vazhdojmë ta bëjmë deri në fund diçka të tillë”, tha Halili fillimisht.
Komisioni I Etikës? Çfarë përgjigje të kemi. Fituam ndeshjen, a ka gjë më të mirë se sa kjo. Çfarë të them, fitorja ka rëndësi. Të tjerat i flisni ju. Nuk mund ta them kë dua në finale, edhe pse e kam një dëshirë. Do doja një ndeshje të bukur në finale.
Ishte një ndeshje e kujdesshme dhe u kërkua fitorja. Ekipi ka qenë në ankth, në stres, siç jam edhe unë dhe më thonë që të janë skuqur sytë apo je i stresuar. E gjithë skuadra ka qenë e stresuar. Ia hodhëm tani dhe të shohim përpara.
Lojtarët e Akademisë? Të kalojmë ndeshjen e radhës. E patë vetë çfarë loje bëri Ismajlgeci. E falënderoj gjithë skuadrën. Për Muçin nuk kam çfarë them, e shikoni vetë, sa herë luan shënon. Është aset i çmuar për klubin. Shpresojmë ta mbajmë, por nëse do të ketë një ofertë të mirë do ta shesim dhe do ta ndihmojmë edhe atë të bëjë karrierë jashtë vendit.